Policia ka shoqëruar një shtetas për vrasjen e Lulzim Vishës, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Kamëz.
Mësohet se i arrestuari është Eduart Lami, i cili dyshohet se mund të jetë i përfshirë në krim, pasi ka patur një konflikt për pronësi tokash me viktimën. Në pyetje janë marrë edhe familjarët e Lulzim Vishës, ndërkohë hetimet e policisë janë përqëndruar në një konflikt që viktima dhe vëllai i tij kanë pasur kohët e fundit.
Eduart Lami është ndaluar fillimisht gjatë kontrolleve në zonën e Kamzës për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e djeshëm, kur 48-vjeçari u gjet pa shenja jete brenda një automjeti në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Visha ishte postier në një postë private në Tiranë, dhe dyshohet se ishte nisur për në punë në momentin që është ekzekutuar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet se ai është qëlluar me silenciator pasi banorët e zonës janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Ndërkohë në vendin e ngjarjes policia tha se janë gjetur 12 gëzhoja pistolete.




