Daniel Pepa, autori i vrasjes së Flori Paluçit në Manzë të Durrësit është vetëdorëzuar në polici ditën e sotme.

Kujtojmë se gjithçka ka nisur kur njëri prej viktimave, së bashku me një person tjetër, kanë hyrë në lokal dhe i kanë kërkuar kamerierit që tu bënte kafe. Ky i fundit u ka shpjeguar se ekspresi i kafes ishte i fikur, gjë që ka shkaktuar një debat verbal mes tyre. Më pas, situata është përshkallëzuar shpejt dhe në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në lokal.

Sipas policisë, Flori Paluçi ka qëlluar me armë ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur në vend dhe menjëherë pas kësaj, 21-vjeçari Daniel Pepa ka qëlluar për vdekje Flori Paluçin. Gjithashtu mësohet se kamerieri nuk ka mbetur as i plagosur dhe as viktimë në këtë ngjarje.

Ndërkohë 21-vjeçari Daniel Pepa është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka ngritur pika kontrolli dhe po kryen operacione intensive për kapjen e tij. Sakaq, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës, po punon në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.