Presidenti francez Emanuel Macron do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri që korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Europian të 16 Majit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri Igli Hasani gjatë takimit me ministrin Francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dy-ditore në Shqipëri.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Sipas Ministrit Hasani, vizita e z. Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, z. Hasani vlerësoi veçanërisht angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme.

Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Ministri Hasani.