Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.

Në njoftimin zyrtar SPAK sqaron Belinda Balluku është marrë e pandehur për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tenderat për ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës.

Ndaj saj fillimisht u vendos pezullimi dhe ndalimi i daljes jashtë vendit, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin në detyrë për zv.kryeministren.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.