Është zhbllokuar pas disa orësh aksi rrugor Maliq- Gramsh, që po përdoret si alternativë për lidhjen mes qyteteve të juglindjes dhe Elbasanit e Tiranës. Aktualisht të dyja korsitë janë liruar dhe automjetet mund të qarkullojnë pa problem.

Aksi u njoftua se do shërbente për qarkullimin e mjeteve të vogla dhe atyre të emergjencës, pas bllokimit të aksit kryesor Përrenjas- Librazhd. Megjithatë, dy trajlera që dyshohet se u lejuan të kalonin në këtë aks nga policia, u aksidentuan duke e bllokuar rrugën dhe duke krijuar trafik për disa orë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur që të bllokojë totalisht aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, për shkak të urës që po shembet në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Deri më tani, nuk ka një afat kur do hapet rruga.