14-vjeçari Martin Cami ndërroi jetë mesditën e djeshme pasi u përfshi në një sherr me një bashkëmoshatar.
Ai mori një goditje me thikë në zemër, e cila rezultoi dhe fatale për të. Sot në “Shqipëria LIVE”, kanë folur Kristina Mitsi dhe Agetina Hidarshaj, dy gratë që tentuan ta shpëtonin të miturin.
Ato kanë treguar se si e gjetën të gjakosur, e po ashtu për përpjekjet për ta dërguar sa më shpejt në spital, edhe pse askush tjetër nuk i ndihmonte.
“Kam qenë prezentë që në momentin e parë. Kam parë nxënësit që dilnin sepse kisha makinën të parkuar. I pashë nxënësit që dilnin si turmë me vrap, por më pas pashë dhe zonja që po dilnin me vrap dhe thërrisnin ambulancë. Dola nga makina dhe shoh djalin të shtrirë, kërkonte një bluzë a diçka që të ndalonte gjakderdhjen. Ishte Martini i shtrirë, me sytë e hapur. Kishte shumë gjak dhe mendova se ishte aksident. Ishte dhe një djalë që i mbante plagën. Më erdhi një djalë që më tha e kanë therur me thikë. Aty mor ambulancën, kishin kaluar 2 minuta dhe fëmijë herë përmendej, herë nuk i dukeshin. Po merrte ngjyrë blu, po i matja pulsin dhe mendova që kishte shpresë. Pastaj mu afrua gruaja. Djali kishte plagë të rënda, nuk shfaqte asnjë lloj reagimi. Goditja ishte në zemër. Telefonova motrën që e kam kardiologë dhe ajo më tha se nuk kishte shpresë sepse goditja në zemër është fatale.”– tha Kristina.
“Unë isha me makinën time, mendova të mos prisnim makinën ta merrnim ta çonim në spital. U bëra thirrje makinave të tjera asnjë nuk reagonte. E morëm djalin me ndihmën e dy burrave, të cilët pasi u sistemua djali u larguan direkt. Nuk e di sa kam bërtitur. U lutesha të na ndihmonim. Erdhi një person, më tha qetësohu dhe i mbante gjakun, unë drejtoja timonin. Por gjaku nuk po dilte më . Në atë moment i thirrja biri i mamit, mami është këtu. Ai aty u përmend dhe tha mami. I thashë bir u zgjove, do shpëtosh. Kam ecur si e çmendur, kalova dhe policin pa pyetur. Mezi kemi çarë trafikun. Kur erdhi ambulanca, ndaluam, mendova se ishte djali i Kristinës, por ajo më tha jo. Djali kur e hipëm në ambulancë lëvizi kokën dhe ne aty u lumturuam sepse menduam se shpëtoi. Më vonë, Kristina më mori në telefon më tha që vdiq. Mos thashë, aty nxitova shkova tek spitali i Traumës, aty gjeta prindërit të ngrirë, të shokuar komplet. Nëna e tij punonte në rrobaqepësi, apo lokal, nuk e di. Ata nuk e besonin dhe nuk e pranonin se djali kishte vdekur. Unë u thashë që djali ne kemi futur në ambulancë të gjallë, dhe u dhashë pak shpresë. Pritëm, por lajmi na erdhi i kobshëm.”– tha Agetina Hidarshaj.