Detaje tronditëse zbardhen nga ngjarja në Tiranë, ku u plagos aksidentalisht nga shoku i tij një 17-vjeçar. Katër të rinjtë ndodheshin në banesën e 19-vjeçarit Rigers Sylaj dhe ishin duke konsumuar alkool. Raportohet se në një moment, 19-vjeçari ka marrë pistoletën për t’ua treguar shokëve dhe dyshohet se pa e ditur që në të kishte fishekë ia ka drejtuar në kokë shokut të tij 17-vjeçar.

Ky i fundit mori një plagë në kokë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë. Sipas burimeve, 19-vjeçari së bashku me dy shokët e tjerë, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, të frikësuar e kanë nxjerrë shokun e tyre të plagosur në oborr pasi shtëpia është private dhe kanë njoftuar ambulancën. Fillimisht ata kanë pohuar se kanë dëgjuar një të shtënë arme dhe shoku i tyre është plagosur në oborr. Por teksa janë marrë sërish në pyetje kanë treguar se ishin duke pirë alkool në banesë dhe ngjarja ka ndodhur aksidentalisht teksa 19-vjeçari Sylaj po u tregonte pistoletën.

Sipas burimeve, arma e zjarrit ishte e 19-vjeçarit Rigers Sylaj. Mësohet se ai është djali i një ushtaraku. Në përfundim të veprimeve hetimore 19-vjeçari u arrestua për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”. Ndërsa dy shokët e tjerë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.