Dëmet materiale që ka lënë pas zjarri masiv që përfshiu tregun e rrobave të përdorura në lagjen “5 Maji” mbrëmjen e djeshme, janë kolosale.

Biznesmenët shprehen të zhgënjyer nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse duke thënë se kapanonet e tjera, përveç atij nga nisën flakët, mund të ishin shpëtuar.

“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Vlera e mallit sa të duash mbi 200 milionë lekë, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape, geta, streçe. Vajza ime kishte dy dyqane.

Jemi në qiell të hapur. Asnjëherë nuk na kanë kërkuar të iknim. Nuk i kemi pasur të siguruara bizneset, nuk na i siguronin. Kemi shkuar tek sigurimet dhe me këtë lloj ndërtimi nuk e merrnin përsipër. Unë paguaja 517 mijë lekë, vajza më shumë se 1 mln lekë. Ka plas zjarri tek panelet, nuk është për fajin tonë. E gjithë jeta jonë ishte këtu. Nuk kam ku të shkoj.”

“Unë jam një nga tregtarët që jam dëmtuar më shumë. Kisha thuajse gjysme kapanoni. Dy kapanontet e tjera mund të ishin shpëtuar. Zjarrfikëset jashtë standardeve. Policia bënte sehir.”