Dy aksidente të rënda rrugore janë regjistruar mëngjesin e sotëm në vend, duke shkaktuar dy viktima dhe nëntë të plagosur.

Ngjarja e parë ndodhi rreth orës 05:20 në autostradën Durrës–Tiranë, ku u përfshinë pesë automjete. Nga përplasja zinxhir humbi jetën 45-vjeçari Hysen Balla, automjeti i të cilit dyshohet se u përplas nga pas me një kamion. Më pas, në aksident u përfshinë edhe tre mjete të tjera, ndërsa pesë persona mbetën të plagosur.

Një tjetër aksident tragjik u regjistrua në aksin Levan–Tepelenë, ku u përplasën një automjet tip “Audi” dhe një “Mercedes-Benz”. Si pasojë, drejtuesi i “Audi”-t, 55-vjeçari Dashamir Beca, humbi jetën në vendngjarje. Shoferi i automjetit tjetër dhe tre pasagjerët që udhëtonin me të u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Shkaqet e dy aksidenteve nuk janë përcaktuar ende, ndërsa paraprakisht dyshohet se shpejtësia mund të ketë ndikuar në ngjarje. Policia dhe grupet hetimore po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.