Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, ku ka paralajmëruar se Vuçiç është duke përgatitur pavarësinë e komunave serbe në Kosovë.

Sipas Karamuços, nëse Vuçiç do të zgjedhë të vërë në zbatim planin apo të tërhiqet pas lëkundjes së pozitave të Vladimir Putinit, kjo mbetet për t’u parë të mërkurën, ditë në të cilën Serbia feston festën e Vidovanit.

“A ishte vërtetë një frikë e Vuçiçit, ngaqë Putini u tregua i pasigurt pasi në një moment u rrezikua nga kjo që ndodhi me Wagnerin apo jo, kjo do të merret vesh të mërkurën.

Të mërkurën është festa e Vidovanit, festa kombëtare e Serbisë, e Car Llazarit dikur. Aty mendohet dhe ka informacione që këta mund të shpallin, pra 10 komunat, mund të shpallin një lloj autonomie siç bëri dikur Donbasi i Ukrainës.

Nëse bëhet kjo, atëherë Vuçiçi nuk ka ndërruar rrugë. Por nëse s’bëhet kjo, atëherë Vuçiçin e kanë zënë ethet e Kremlinit.

Tani çfarë ka ndodhur, sepse po flasim për Wagner, dhe këta janë një histori e gjatë banditësh që do dy emisione që ta mbulosh. Ata nuk janë ushtarak por biznesmenë dhe kriminel njëkohësisht, sepse iu mbyllet kontrata në 1 korrik, kishte shumë gjëra. Ka miniera në Afrikë, ka zbuar edhe legjionarët francez. Mendoni se çfarë loje bëhet këtu gjeopolitike e gjeostrategjike, por që ka në mes paranë”, tha Karamuço.