Të tjera detaje kanë dalë në pah në lidhje me vrasje ne ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë.
Teksa familjarët e biznesmenit Eduart Reçi deklarojnë se ky i fundit nuk kishte konflikte me asnjë person që të bëhej shkak për vrasjen, gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar një tjetër të vërtetë. Duke folur në emisionin “Breaking” në Top News, Hoxha tha se viktima kishte depozituar më herët një kallëzim për një fqinj me të cilin kishte një konflikt pronësie. Në këtë padi, ai e akuzonte fqinjin për vetëgjyqësi, megjithatë, Prokuroria e ka mbyllur çështjen pa ngritur asnjë akuzë.
“Kohët e fundit, ai kishte depozituar në polici dhe në Prokurori një kallëzim. Ai raportohet se kishte konflikte me një person në lagjen ku banonte. Viktima e akuzonte këtë person për vetëgjyqësi. Prokuroria pas hetimeve ka arritur në përfundimin se çështja nuk duhet të kishte nisur dhe për këtë arsye nuk ka ngritur asnjë akuzë për personin që viktima kishte kallëzuar. Raportohet se këta persona kanë pasur konflikte pronësie me Eduart Reçin.”– tha gazetarja.
Eduart Reçi, biznesmen në sektori ne ndërtimit, u plagos mbrëmjen e djeshme në rrugën “Faik Konica” në kryeqytet, duke u qëlluar me plumb në kokë. Ai ndërroi jetë gjatë natës, pasi u dërgua në spital.