Nëna e një 19-vjeçareje shqiptare, e cila humbi jetën tragjikisht më 14 prill 2026 në Argostoli, ka rrëfyer për mediat greke detaje mbi marrëdhënien me vajzën e saj dhe rrethanat që i paraprinë ngjarjes së rëndë.

Në dëshminë e saj, ajo e përshkruan Myrton si një vajzë të qetë, të edukuar dhe shumë të përkushtuar ndaj studimeve, e cila po ndiqte një program për asistente mikrobiologe në një kolegj profesional në Argostoli.

Sipas saj, një natë para tragjedisë, e reja i kishte thënë se do të dilte për një shëtitje të zakonshme me të dashurin, pa asnjë shenjë shqetësimi apo ndryshimi në sjellje. Nëna tregon gjithashtu se, teksa po nisej për turnin e natës në spital, kishte parë makinën e të riut të parkuar pranë shtëpisë, por nuk kishte ndërhyrë apo komunikuar me të.

“Të hënën e Pashkëve, rreth orës 21:55, ishim në shtëpi të tre, me babanë e saj. Myrto doli nga dhoma dhe na pyeti nëse ishte veshur bukur. Folëm për rrobat e saj.

E dija që do të dilte për një shëtitje me D. (i dashuri), por babai i saj nuk e dinte, pasi ishte shumë i rreptë dhe nuk i kishim treguar për lidhjen e saj. Ai ishte tepër mbrojtës ndaj saj, e telefononte vazhdimisht kur dilte, por Myrto kishte një dobësi të madhe për të.

Atë natë dola nga shtëpia për të shkuar në punë, pasi punoj si infermiere dhe ndërsa po largohesha pashë makinën e D., që po priste Myrton, por nuk folëm fare me njëri-tjetrin, pasi nuk ishim prezantuar”, tregoi ajo.

Momenti më dramatik ishte kur u përball me trupin e së bijës në spital. Ajo tha se ishte në shtëpi kur u njoftua për rastin dhe sapo mbërriti në spital, u përball me fytyrat e ngrira të kolegëve. Para se t’i jepnin lajmin e rëndë, ajo rrëfeu se mjekët i dhanë qetësues.

“Në mëngjesin e datës 14.04.2026 kisha dalë nga puna pak më herët dhe isha në shtëpi. Më telefonoi një kolege dhe më tha se duhej të shkoja menjëherë në spital, pa më dhënë shpjegime. Mendova se kishte ndodhur diçka me një rast që po trajtoja.

Kur mbërrita, pashë shikime të ngrira dhe ndjeva se diçka e rëndë kishte ndodhur. Para se të më thoshin gjë, më dhanë qetësues. Mbaj mend që iu luta mjekëve të bënin gjithçka për të shpëtuar fëmijën tim, madje u thashë të merrnin zemrën time dhe t’ia jepnin asaj.

E vetmja gjë që kujtoj është se vrapova drejt saj. Nuk doja ta besoja që fëmija im kishte ndërruar jetë”, rrëfeu ajo.