Hetimet për vrasjen e Ferdinant Hotit, shqiptarit që u gjet i pajetë brenda një automjeti të fundosur në zonën e Padovës, kanë marrë një drejtim të ri. Autoritetet italiane po shqyrtojnë mundësinë që krimi të ketë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike dhe konfliktet brenda këtij aktiviteti.

Mediat italiane raportojnë se në kuadër të zhvillimeve të fundit janë arrestuar Eris Makaj dhe e dashura e tij, Noemi Karibba. Të dy janë dërguar në burgun e Padovës me urdhër të gjykatës.

Arrestimet erdhën pas një operacioni antidrogë të zhvilluar paralelisht me hetimet për vrasjen. Gjatë kontrolleve në banesën e Karibbës, autoritetet sekuestruan rreth 800 gramë hashash, afro 200 gramë kokainë dhe 2 mijë euro para të gatshme.

Këto zhvillime kanë bërë që hetuesit të përqendrohen edhe te pista e një konflikti të mundshëm të lidhur me botën e drogës. Megjithatë, në këtë fazë nuk është përcaktuar ende nëse dy personat e arrestuar kanë një rol të drejtpërdrejtë në vrasjen e Hotit.

Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit është lidhja e mundshme e Eris Makajt me 44-vjeçarin Luigi Makaj. Ky i fundit ishte arrestuar në korrik në Mirano së bashku me shqiptarin Amiol Gjoka, 39 vjeç, nën akuzat për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje. Sipas raportimeve të mediave italiane, çështja lidhej me një 25-vjeçar që dyshohej se kishte lidhje me një rrjet të trafikut të drogës.

Pavarësisht elementeve të reja, një lidhje mes këtyre episodeve dhe ekzekutimit të Ferdinant Hotit mbetet deri tani vetëm një pistë hetimore që autoritetet italiane po përpiqen ta verifikojnë.

Trupi i Hotit u zbulua mëngjesin e 9 shtatorit, pasi një automjet tip “Fiat Bravo” u nxor nga uji në Via del Santo, në zonën e Padovës. Viktima ndodhej brenda një thesi në pjesën e pasme të makinës dhe i kishte duart të lidhura.

Autopsia e kryer nga mjeku ligjor Rafi El Mazloum konstatoi se shqiptari ishte vrarë me një plumb në kokë. Të dhënat mjeko-ligjore tregojnë se arma ishte shkrepur nga një distancë e afërt.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të rindërtuar dinamikën e krimit, motivin dhe personat që mund të jenë përfshirë në vrasjen e Hotit.