Motra e 36-vjeçares shqiptare, e cila u vra në Volos të Greqisë nga bashkëshorti i saj 40-vjeçar, ka treguar detaje tronditëse për abuzimin që viktima kishte përjetuar gjatë martesës.
Në një intervistë për mediat greke, ajo zbuloi se motra e saj ishte viktimë e dhunës fizike dhe seksuale. Sipas saj, burri e përdhunonte dhe e detyronte të mbetej shtatzënë, me qëllim që ta pengonte të ndahej prej tij. “Shpesh detyrohej të bënte aborte,” rrëfeu ajo, duke shtuar se autori e kishte kërcënuar: “Nëse divorcohesh, do ta pësojë më keq.”
Motra tregoi se çifti ishte njohur në moshë të re, por sjellja e burrit ndryshoi pas lindjes së fëmijëve. “Që kur pati fëmijë, u bë abuziv. E rrihte,” tha ajo.
Edhe pse familja ishte në dijeni të dhunës, nuk bëri kallëzim në polici. “Për shumë vite nuk folëm, dhe kjo është faji ynë. I thoja motrës të divorcohej, por ajo kishte frikë. U përpoqa ta ndihmoja financiarisht, por nuk arriti të shkëputej,” u shpreh ajo.
Sipas dëshmisë, dhuna zhvillohej edhe përpara fëmijëve. “Ai u thoshte ‘rrini larg, mos flisni’, ndërsa e dhunonte para syve të tyre,” shtoi ajo.
