Kryeministri Edi Rama akuzoi ashpër opozitën, se gjatë luftës në Kosovë furnizuan me naftë “makinerinë e spastrimit etnik” të Slobodan Miloseviç, ndërsa theksoi se PS ka kontribuar për të ngritur imazhin dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në botë. Duke folur në 35 vjetorin e PS në Durrës, Rama theksoi, se Partia Socialiste ka qenë mbështetëse e hershme e misionit të UÇK-së, ndërkohë shtoi, se respekti në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të jetë reciprok, pavarësisht përmasave apo fuqisë ekonomike të Shqipërisë.

“Shembulli më ulëritës i këtij fakti është që ata të cilët e mallkonin PS që në krye të herës si një parti të Beogradit, ishin ata që bënë para duke i shitur naftë makinës së spastrimit etnik të Millosheviçit, kurse PS ishte ajo që në krye të herës mbështeti misionin e UÇK. PS duan apo nuk duan ata, është partia që mund të krenohen sot sepse është partia që u ka ngritur kokën shqiptarëve në të gjithë botën. Për ne respekti është një çështje reciprociteti. Në jemi një vend i vogël, dhe jo në vend shumë i pasur, ne i shohim me respekt dhe pretendojmë prej tyre vetëm respekt,” tha Rama.