Një qytetare nga Berati i është drejtuar Fiks Fare se është martuar me një shtetas italian në datën 27 prill 2026 dhe aktin e martesës e ka bërë në gjendjen civile të qytetit

Ka dorëzuar të gjitha dokumentet dhe i kanë thënë se s’punon sistemi.

“Jam sorollatur disa ditë dhe akoma dhe sot s’më kanë regjistruar aktin e martesës. I kemi bërë të gjitha, me shpallja dhe kemi marrë certifikatën fizikisht. Po tani jam në ajër, se unë duhet të ndryshoj pasaportën, kartën e identitetit, patentën etj. S’i bëj dot asnjë gjë. Shkoj atje e më thonë se s’punon sistemi. Çfarë punë kam unë me sistemin, përse duhet të sorollatem lart e poshtë. Përse e bën kur tani s’ma regjistrojnë”, thotë qytetarja.

Ajo shton se ka shkuar edhe te Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe sërish asnjë gjë. Pas ankesës, qytetarja interesohet në Gjendjen Civile në Berat, ku punonjësja i thotë se të kemi informuar që të shkojë në Tiranë, te Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe të mos bëjë kot e-maile. Ajo i thotë se e kanë përcjellë, ndërsa me këtë problematikë janë me qindra persona.

 “Asgjë nuk bën dot, s’të ka dalë martesa. Je akoma e divorcuar. Ne i kemi njoftuar ata në Tiranë se ‘çfarë do bëjmë me aktet’, ata na thonë se do merremi, dhe do t’na njoftojnë se si do të zgjidhen”, i thotë punonjësja. Më tej i shton se, duhet të interesohet në Drejtorinë e Përgjithshme dhe jo në Berat, pasi ata e kanë bërë punën dhe tashmë vendimin e marrin në kryeqytet.

Qytetarja shkon te Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Tiranë. Ajo pret disa kohë para se të takojë sportelistët dhe pas disa minutash pyet një specialist, duke i treguar problemin, e-mailet që ka dërguar dhe asnjë përgjigje. Specialisti i thotë se ka pasur shumë problem dhe do t’a verifikojnë rastin. Ai pranon se problemet kanë qenë me sistemin, që s’ka punuar disa ditë.

“Për ato akte në ato ditë, do të ketë një vendim nga Drejtoria e Gjendjes Civile”, pohon ai.

Pas këtyre sorollatjeve, Fiks Fare kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, duke e pyetur se përse nuk ka punuar sistemi. Një ditë më pas, kjo drejtori na kthen përgjigje se “në vijim të komunikimit, bëjmë me dije se me normalizimin e funksionimit të sistemit, akti i martesës është reflektuar në sistem. Për sa me sipër, shtetasja mund të vijojë me marrjen e certifikatës së aktit të martesës nga portali qeveritar e-Albania, dhe me çdo procedurë tjetër që i nevojitet”.

Gjendja Civile nuk dha informacion të mëtejshëm, por vetëm që sistemi u normalizua. Fiks Fare ka mësuar se, krahas Gjendjes Civile, mijëra qytetarë janë përballur me vonesa edhe në sisteme të tjera në e-Albania.