Një operacion policor i koduar “Pasoja” ka çuar në arrestimin e një 40-vjeçari të shpallur në kërkim, i dënuar me 6 vite burg për mashtrim të rëndë.

I dyshuari kishte përfituar 21 mijë euro nga një qytetar, të cilit i premtonte sigurimin e dokumenteve për udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arrestimi u krye nga Policia e Tiranës pas kontrolleve dhe punës intensive operacionale për kapjen e personave në kërkim.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pasoja”.

I mori një shtetasi, 21 000 euro, duke e mashtruar se do t’i siguronte dokumentet për të udhëtuar në ShBA, kapet 40-vjeçari i dënuar me 6 vjet burgim për këtë krim.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me objektiv kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të akuzuar/dënuar për vepra penale të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, finalizuan operacionin “Pasoja”, gjatë të cilit u lokalizua dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, Ahmet Bellahu, 40 vjeç.

Gjykata e Tiranës e ka dënuar 40-vjeçarin, në vitin 2024, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.

Në këtë vit, ai përfitoi nga një shtetas, 21 000 euro, nëpërmjet mashtrimit se do t’i siguronte dokumentet e nevojshme për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.