Copy of lokaliGjykata e Krimeve të Rënda lë në burg tre pengmarrësit e studentit të Librazhdit


Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat tre të arrestuarit për pengmarrje në datën 6 mars në Tiranës. Artur Kolpepaj, Martin Këshnjari dhe Bledar Vata nuk e kanë bindur dot gjyqtarin Bardhyl Dhamo, për një masë më të lehtë.


Nëpërmjet avokatit, të pandehurit kanë paraqitur alibinë e vetëgjyqësisë, për shkak të një borxhi të pashlyer nga shoku i tyre Fatjon Xhafa. Në masën e arrestit, gjyqtari i gatshëm ka pranuar pa asnjë hezitim kërkesën e prokurorit Ened Nakuçi.


Studenti nga Librazhdi i vitit të parë për ekonomik në sistemin part time në një universitet privat, u mbajt për tri ditë peng në një dhomë të fshehtë në lokal. Ai u lirua pas dorëzimit të 86 mijë lekëve borxh nga babai i studentit në lokalin në Rrugën e Barrikadave. Tre të dyshuarit u arrestuan teksa largoheshin me paratë pranë Stacionit të Trenit në Tiranë.


Ndaj Fatjon Xhafës, 22-vjeçarit nga Librazhdi, i cili u mbajt peng për tri ditë në magazinën e një lokali pranë shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, është ushtruar dhunë fizike në mënyrë sistematike nga tre të rinjtë e arrestuar. Mësohet se studenti ka qenë mik i afërm me pengmarrësit. Shuma e parave që Martin Kështnjari, Bledar Vata dhe Artur Kolpepaj, pretendojnë se 22-vjeçari ua ka marrë borxh, nuk rezulton që të jetë e vërtetë. Të rinjtë e kanë shpenzuar shumën e parave së bashku, duke u futur në borxhe. Ai që duhet t’i shlyente ishte Fatjon Xhafa. Një gjë e tillë është refuzuar nga 22-vjeçari, duke u thënë shokëve të tyre se nuk është normale që një gjë e tillë të paguhej nga xhepi i tij. Kundërshtimet e të riut nga Librazhdi kanë “zemëruar” tre personat. Ata e kanë kërcënuar, por kjo nuk është marrë seriozisht nga Xhafa. Mbrëmjen e së hënës, ata kanë kërkuar që të pinë një kafe me 22-vjeçarin në lokalin që Artur Kolpepaj dhe Bledar Vata kishin marrë me qira në Rrugën e Barrikadave. Në momentin që në lokal nuk ka pasur njeri, ata e kanë marrë me forcë Xhafën dhe e kanë dërguar në një dhomë të izoluar, e cila përdorej si magazinë. Atje i kanë lidhur gojën, në mënyrë që ai të mos kishte mundësi të bënte zhurmë, në kohën që lokali ishte i mbushur me klientë. Edhe duart e këmbët i ka pasur të lidhura. Gjatë gjithë periudhës që ka qenë i izoluar, të rinjtë kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Në mënyrë përsëritëse i kanë thënë se nëse babai i tij nuk do t’u sillte shumën e parave prej 86 mijë lekësh, atëherë ata do ta vrisnin. Në një situatë të tillë, ai është detyruar që t’u japë numrin e kontaktit të babait të tij, Ismetit, për t’ia kërkuar këtij të fundit paratë. Ismet Xhafa, ndonëse ishte këshilluar që të mos tentonte të njoftonte policinë, pasi në të kundërt do t’ia vrisnin djalin, ka shkuar me urgjencë në polici për të bërë kallëzimin. Policia e ka detyruar babanë e pengut që të takohet me tre të rinjtë. Në momentin që Ismet Xhafa ka dorëzuar paratë, policia ka ndërhyrë për të arrestuar në flagrancë Martin Kështnjarin, Bledar Vatën dhe Artur Kolpepajn.