Autoritetet e Republikës së Greqisë, kanë shpallur ditën e djeshme me statusin “non grata”, gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e cilësuar “të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik, duke ndaluar përjetësisht për të mos shkelur në territorin grek.
Hoxha, ka qënë ditën e djeshme duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës, kur është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Në sportelin e policisë kufitare, ku kryhet kontrolli i pasaportave për qytetarët që hyjnë në territorin grek, gazetarit Hoxha, i është komunikuar, se nuk mund të hyjë në Republikën e Greqisë, pasi përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendëshme të këtij shteti.
Pasi i është marrë pasaporta, ai është mbajtur për rreth një orë në policinë greke. Rreth orës 10:30 me orën lokale, i është komunikuar vendimi i autoriteteve greke, që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar
Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendëshme, për shëndetin publik ose marrdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.
Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek.
Ky është një rast i përsëritur nga autoritetet greke ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë denoncuar apo ekspozuar aktivitete të paligjshme në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë apo në dëm të interesave kombëtare shqiptare.
Gazetarit Hoxha i është komunikuar, se ky vendim është marrë në fillimin e vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian, kur në listën për eurodeputet të partisë në pushtet Nea Dimokratia (Demokracia e Re) e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis, kandidonte Fredi Beleri me shtetësi shqiptare dhe greke.
Gazetari Hoxha përveç se ka denoncuar publikisht aktivitetin e Bejlerit në “Masakrën e Peshkepisë” në vitin 1994, ku mbetën të vrarë dy Dëshmorë të Atdheut, është përballur dhe në procese gjyqësore në Gjykatën Penale të Tiranës gjatë vitit 2023-2024. Ndër të tjera, gazetari Hoxha e ka denoncuar aktivitetin e Bejlerit, në dëm të interesave shqiptare dhe në artikuj investigativ në median greke gjatë fushatës për zgjedhjet e parlamentit europian.
