Besarta Jashari rrëfen për herë të parë mbi masakrën e 5 marsit të vitit 1998


Besarta Jashari, vajza e Hamza Jasharit, rrëfen çfarë ndodhi në kullën e tyre më 5 mars 1998, si e mbijetuara e vetme e një dyluftimi ku humbën jetën 59 anëtarë të familjes së saj


“Motra e vogël më kërkonte ujë. Ajo ishte e plagosur dhe unë nuk munda t’i jepja”


Besarta Jashari pohon se ka refuzuar kërkesën e gruas së Mick Jagger për ta adoptuar


Besarta JashariBesarta Jashari, vajza e Hamza Jasharit, vëllait të Adem Jasharit dhe një prej protagonistëve të rëndësishëm të luftës së Kosovës, ka treguar dje, për herë të parë, atë çfarë ndodhi në kullën e tyre më 5 mars 1998, si e mbijetuara e vetme e një dyluftimi, ku humbën jetën 59 anëtarë të familjes së saj. Ajo rrëfen se dita e zezë e 5 marsit do të ngelet gjithmonë në kujtesën e saj. “Ne atë ditë u bashkuam të gjithë për të luftuar, djem e vajza”, thotë Besarta teksa tregon se një prej momenteve më të vështira ishte ai kur nuk arriti dot t’i jepte ujë motrës së plagosur. “Hyra në vendin ku gatuanim, u shtriva aty dhe bëra si e vdekur. Motra e vogël më kërkonte ujë. Ajo ishte e plagosur dhe unë nuk munda t’i jepja. Më pas, kur erdhën të më pyesnin për Hamzën dhe Ademin, unë nuk u tregova asgjë. U thashë që janë gjallë dhe ndodhen jashtë shtetit. E dija që i kishin frikë dhe doja që ata të ishin të gjallë“, shpjegon ajo. Përpos kësaj, Besarta Jashari pohon se e ka refuzuar kërkesën e gruas së Mick Jagger për ta adoptuar. “Unë e kisha një familje. Nuk kam pasur nevojë për familje tjetër”, flet plot bindje, e mbijetuara e Jasharëve. Dëshira e madhe për të është që Kosova dhe Shqipëria të jenë një e vetme, të përfaqësohen nga një flamur, atë kuq e zi. Ka pasur dy sulme të tjera ndaj familjes Jashari, për të mbërritur te luftimi i datës 5 mars, ku familja Jashari humbi jetën pas 2-3 ditësh luftimesh me ushtrinë serbe. I pari ka qenë më 30 dhjetor 1991, dhe i dyti më 22 janar 1998, gati tre muaj para ditës fatale. Për tri ditë rresht, Hamzë dhe Adem Jashari kanë luftuar me ushtrinë serbe nga datat 5-6-7 mars. Sulmi ka nisur të enjten dhe përfundoi të shtunën në një luftë të pabarabartë, ku humbën jetën 58 anëtarët e familjes Jashari. Por, mes kësaj tabloje të trishtë ballkanike, një vajzë 10-vjeçare, vajza e Hamzë Jasharit, do të arrinte të shpëtonte e gjallë.



Ajo është Besarta, vajza që do të kthehej në një simbol të asaj që do të vinte më pas. Djemtë e Shaban Jasharit, Rifati, Hamza dhe Ademi u rritën në një ambient ku projektohej e ardhmja e pavarur e Kosovës. Ata u angazhuan në çështjen kombëtare qysh herët. Kanë qenë pjesëmarrës në demonstratat e para në Kosovë në vitin 1988. Adem Jashari ishte pjesëmarrës në grupin e luftëtarëve që u përgatitën në Shqipëri në vitet 1991, për të krijuar atë çfarë më pas u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndaj, përqendrimi i vëmendjes së Ushtrisë Serbe ndaj familjes Jashari nuk ishte i rastësishëm. Ata e dinin se brenda atyre kullave ishte bërthama e luftës ose mendja e saj. Një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët në këtë shekull është padyshim marrja e pavarësisë së Kosovës. Pak kush e ka harruar shprehjen legjendare që shoqëroi festimet e shqiptarëve për pavarësinë. Ajo që gjendej në çdo mur apo bluzë të shqiptarëve: “Bac u kry”, një shprehje dedikuar një prej heronjve të Kosovës, një njeriu që u kthye në një simbol të luftës, por dhe të bashkimit për t’ia dalë mbanë. Ai është ish-komandanti i UÇK-së, Adem Jashari. Në historinë e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, familja Jashari do të luante një rol të rëndësishëm për të mbërritur në atë çfarë Kosova është sot. Shaban Jashari, babai i Adem Jasharit, është një prej intelektualëve të njohur të Kosovës së viteve ’50-’60, një prej mësuesve të parë në zonën e Prekazit, i burgosur nga sistemi, për shkak të qëndrimeve të tij patriotike. Pas një kalvari të gjatë tensionesh ballkanike, që kulmuan me luftën në vitin 1998, 17 shkurti i vitit 2008, do të kujtohet gjithnjë si fillimi i një ere të re në rajon, erë e cila shihet se po shoqërohet me një sërë aksesesh pozitive për vendet e rajonit. Por, vendet nuk duhet ta harrojnë asnjëherë të shkuarën, raporti me të shpesh bëhet urë për të ardhmen.