Një 13-vjeçare në Pejë ka denoncuar babain e saj se e ka abuzuar seksualisht, ndërsa Prokuroria ka nisur tashmë hetimet, ndërsa i akuzuari ndodhet në paraburgim.
Çështja u diskutua në “Shqipëria Live”, ku edhe vetë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës ka zbuluar detajet. Ai deklaroi se vajza tashmë është marrë në mbrojtje dhe po kryhen hetimet e tjera.
“Fillimisht, rasti është njoftuar në Policinë e Kosovës, ku menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para hetimore. Janë siguruar të gjithë mekanizmat institucionalë për kujdesin dhe trajtimin e duhur të viktimës. Është intervistuar viktima dhe më pas është bastisur shtëpia e personit të dyshuar. Është arrestuar personi i dyshuar, është ndaluar për 48 orë dhe njëkohësisht është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Është mbajtur seanca dëgjimore dhe njëkohësisht gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë. Gjithashtu, janë sekuestruar prova materiale, të cilat do të ekzaminohen dhe njëkohësisht do të vërtetohen pretendimet e shfaqura mbi dy vepra penale.
Ai është i ndaluar dhe është paraburgosur. Njëkohësisht, ka vendim të gjykatës që do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim. Ka indicie. Me rastin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore dhe njëkohësisht nuk janë vetëm pretendimet e deklaruara në këtë rast nga e mitura. Mirëpo, si prokurori, kemi siguruar disa pajisje. Janë dy telefona dhe një laptop, të cilët janë gjetur në shtëpinë e të dyshuarit.
Njëkohësisht, të njëjtat do të ekzaminohen dhe, bazuar në të gjeturat që do të rezultojnë nga këto pajisje, besoj se shumëçka do të vërtetohet mbi këto dy vepra penale, për të cilat akuzohet i dyshuari. Për këtë çështje, edhe gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë që i njëjti të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë. Ndërkaq, viktima ka qenë nën përkujdesjen e të gjithë mekanizmave shtetërorë dhe momentalisht gjendet në strehimore.
Për këtë çështje, Prokurori i Shtetit, përkatësisht Departamenti për të Mitur, veçse ka filluar ndërmarrjen e veprimeve. Në kuadër të kësaj, do të merren në intervistë të gjithë personat të cilët mund të kenë informata. Ndër ta mund të jetë edhe protagonistja në fjalë, mirëpo ne do të ndërmarrim veprime hetimore bazuar në të gjeturat dhe provat të cilat mund të dëshmojnë barrën e fajësisë për dy veprat penale që rëndojnë mbi personin e dyshuar. Bazuar në këto të gjetura, do të zhvillohet edhe procesi hetimor.
Varësisht nga të gjeturat e procesit hetimor, nuk mund të paragjykojmë, mirëpo është një rast i ndjeshëm. Nuk kemi të bëjmë me një viktimë të ndjeshme dhe për këtë çështje ne jemi duke e trajtuar këtë rast në mënyrën më serioze të mundshme”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.
Nga ana tjetër moderatorja Sidorela Gjoni tregoi se gjatë një telefonate me mamanë e vajzës, e cila ka refuzuar intervistën, ajo është shprehur se 13-vjeçarja kërkonte liri nga i ati, e për këtë arsye ka bërë këto pretendime.
