Një ngjarje shqetësuese është regjistruar ditën e sotme në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës, ku një e mitur ka tentuar të hidhet nga kati i tretë i pallatit ku banon.

Sipas raportimeve, 14-vjeçarja është shpëtuar në momentin e fundit nga një banor i zonës, i cili ka ndërhyrë menjëherë sapo ka vënë re situatën në ballkonin e banesës.

Burime bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që e mitura përfshihet në episode të tilla. Më 4 tetor 2025, ajo është hedhur nga e njëjta lartësi, por ka shpëtuar pa dëmtime serioze pasi ka rënë mbi tarracën e një ndërtese më të ulët. Po ashtu, edhe pak ditë më parë, një tjetër tentativë është parandaluar nga ndërhyrja e policisë.

Rasti është pjesë e një situate të zgjatur prej muajsh në këtë familje, ku sipas informacioneve, edhe dy motrat e saj shfaqin sjellje të theksuara agresive. Mësohet se ato janë dërguar disa herë për trajtim të specializuar në Tiranë, por nuk kanë pranuar të ndjekin terapinë e rekomanduar.

Ngjarjet e përsëritura kanë ngritur shqetësime mbi reagimin e institucioneve përgjegjëse, përfshirë strukturat vendore të shërbimeve sociale, lidhur me trajtimin dhe ndjekjen e këtij rasti.

Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se e mitura refuzon të qëndrojë në banesë dhe ka shfaqur sjellje agresive ndaj familjarëve, punonjësve të policisë, si dhe ndaj specialistëve të shëndetit mendor që kanë ndërhyrë për ta asistuar.

Autoritetet pritet të vijojnë verifikimet për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së të miturës.