Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare, banuese në provincën e Raguzës, në Sicili të Italisë është vendosur në një komunitet me urdhër të autoriteteve gjyqësore, pasi publikonte propagandë xhihadiste në platformë n TikTok. Ajo kishte kontakte me persona që pretendonin se ishin pjesë e ISIS-it dhe mbante në telefon materiale për vetë-trajnim terrorist dhe prodhimin artizanal të eksplozivëve.

Sipas mediave italiane, aktiviteti i saj në TikTok kishte tërhequr vëmendjen e Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë së Brendshme (AISI), e cila sinjalizoi autoritetet gjyqësore. Masa ndaj të miturës u vendos nga Prokuroria për të Miturit në Katania dhe u ekzekutua nga Digos, njësia e policisë italiane që merret me hetimet për terrorizmin.

Vajza dyshohet për vetë-trajnim me qëllime terroriste dhe apologji të terrorizmit, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar. Hetimet, të cilat përfshinë edhe verifikime në ambientin shkollor, zbuluan se ajo kishte ndryshuar zakonet dhe kishte kufizuar shoqërimin kryesisht te shoqet e klasës që i përkisnin besimit islam.

Një element i rëndësishëm i çështjes është telefoni celular, i sekuestruar në muajin maj. Sipas Policisë, analiza e pajisjes zbuloi materiale propagandistike të ISIS-it dhe organizatave të tjera xhihadiste, video që paraqisnin ekzekutime të të burgosurve me përmbajtje antisemite, si dhe imazhe që dyshohet se ishin krijuar me inteligjencë artificiale.

Në telefon u gjetën gjithashtu manuale për vetë-trajnimin dhe për prodhimin artizanal të lëndëve shpërthyese. Hetuesit dokumentuan edhe kontakte në internet me persona që pretendonin se ishin anëtarë të Shtetit Islamik, si dhe me përdorues që promovonin veprime terroriste.

Mes materialeve të identifikuara kishte edhe video që lidhen me sulmin e ndodhur në mars në shkollën Leonardo da Vinci, në Trescore Balneario, ku një mësuese e frëngjishtes u godit me thikë nga një nxënës 13-vjeçar. Megjithatë, informacionet e publikuara nuk konfirmojnë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë të të miturës me autorin e atij sulmi.

Sipas legjislacionit italian, vepra e vetë-trajnimit me qëllime terroriste mund të dënohet deri në 10 vjet burg, në varësi të dispozitës së zbatueshme dhe rrethanave të çështjes. Për shkak të moshës së saj, ndaj vajzës është vendosur masa e qëndrimit në komunitet.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkallën e radikalizimit dhe rëndësinë penale të materialeve dhe komunikimeve të zbuluara. Deri më tani, bëhet fjalë për akuza dhe dyshime që duhet të shqyrtohen nga drejtësia.