Një gjykatë në SHBA ka shpërblyer me 1 milion dollarë ish-policen e Bostonit, Enxhi Qirici, 32 vjeçe, e cila pretendonte se ishte shkarkuar padrejtësisht dhe se për vite kishte qenë viktimë e ngacmimeve seksuale dhe diskriminimit në vendin e punës.

Sipas Daily Mail dhe The Boston Globe, juria pranoi se Qirici kishte përjetuar një ambient pune armiqësor, me shaka dhe komente të pahijshme rreth jetës së saj private sidomos pasi kolegët mësuan se ajo ishte në një marrëdhënie me kolegun Eliot Telisnor, i cili është me ngjyrë. Megjithatë, juria vendosi se ngacmimet nuk kishin lidhje direkte me shkarkimin e saj, duke arritur në përfundimin se departamenti e kishte larguar për shkak të dy incidenteve të sjelljes gjatë periudhës së provës.

Qirici, e cila kishte filluar punë në Departamentin e Policisë së Bostonit (BPD) në vitin 2017, u përfshi në dy përplasje me oficerë të tjerë në vitin 2018 — një në një kantier ndërtimi dhe një tjetër në Aeroportin Logan — të cilat departamenti i cilësoi si shkelje të rëndë të disiplinës. Pas incidenteve, asaj iu hoq arma dhe u caktua në detyrë në zyrë, periudhë gjatë së cilës ngacmimet ndaj saj, sipas padisë, u intensifikuan.

Në mars 2019, Qirici paraqiti një ankesë zyrtare për seksizëm dhe racizëm në Komisionin e Massachusetts Kundër Diskriminimit. Vetëm tre javë më vonë, ajo u shkarkua diçka që avokati i saj, Ilir Kavaja, e cilësoi si hakmarrje të pastër.

Departamenti mohoi çdo lidhje midis ankesës dhe largimit, duke argumentuar se oficerët në periudhë prove mund të shkarkohen nëse shfaqin sjellje problematike.

Pas largimit nga policia, Qirici mori një diplomë në jurisprudencë dhe sot punon si avokate në zonën e Bostonit. Në gjykatë, ajo deklaroi se puna si police kishte qenë “ëndrra e saj”, ndërsa Telisnor dëshmoi se “asaj iu mor karriera”.

Vendimi i jurisë shënon një fitore të rëndësishme ligjore për Qiricin, e cila argumentoi se rasti i saj kishte të bënte me “drejtësi dhe barazi” në vendin e punës.