Avokati Idajet Beqiri ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking”, në Top News, ku ka folur për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani.

Avokati deklaroi se e njeh babain e adoleshentit të ndjerë, dhe shtoi se ai është njeri model dhe i edukuar. Ai shprehu keqardhje për ngjarjen duke e cilësuar “gjëmë”. Ndër të tjera, Beqiri tha se përgjegjëse është shoqëria shqiptare.

“Është një gjëmë e madhe për familjen, gjëmë e madhe kombëtare, sepse në një moshë të tillë dhe për rrethana banale, të ikë jeta e një engjëlli dhe kur the engjëll, në kuptimin e vërtetë të fjalës, edhe familja e tij. Unë në fakt e njoh familjen e Martinit, njoh babain e tij, i cili punon aty pranë SPAK-ut. Është një njeri model në çdo lloj pikëpamje, dhe imagjino një njeri i tillë me kaq edukatë, me kaq mirësi që i bënte për vete të gjithë njerëzit, edhe t’i ndodhë një fatkeqësi kaq e madhe, nuk e di çarë dhimbje ka shkaktuar. Martini kishte një ëndërr shumë të bukur, që të bëhej futbollisti më i mirë i vendit. Këtë ëndërr ja prenë në mes, ja preu krimi, dhuna.

Në shpirtin e vet askush nuk lind kriminel, por bëhesh. Në një moshë fare të vogël të bëhesh kriminel, kush e bën këtë gjë, t’i marrësh jetën shokut tënd, moshatarit tënd. Përgjegjësia kryesore është e shoqërisë shqiptare. Shoqëria jonë është shumë e dhunshme, në çdo aspekt. Në institucionet e shtetit etj. Edhe fëmijët në këto kushte do mendojnë se zgjidhje qenka dhuna, krimi, shkatërrimi.  Nga ana tjetër, ne e kemi humbur institucionin e familjes. Familja shqiptare ka degraduar dhe nuk ka autoritet edukimi”,– tha avokati.