Policia e Durrësit ka arrestuar dy punonjës të Portit të Durrësit, pasi akuzohen se kanë vjedhur një motor të importuar nga Zvicra.

Policia bën me dije se dy punonjës, të cilët kishin si detyrë funksionale për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të portit të Durrësit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë vjedhur motomjetin me vlerë 2500 euro. Ata akuzohen për veprën penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën”.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave që shpallen në kërkim dhe për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjeve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasit: I. F., 45 vjeç, dhe G. D., 47 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur një motomjet të importuar nga Zvicra, me vlerë rreth 2500 euro, në pronësi të shtetasit K. K. Motomjeti është vjedhur brenda ambienteve të portit të Durrësit, ndërkohë që të dy këta shtetas ishin me detyrë funksionale për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të portit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën”.