Një 31-vjeçar i cili rezultonte se ishte arratisur nga burgu në Shkodër, është arrestuar dhe u rikthye në qeli ditën e sotme. Për të dyshuarin S.Gj., banues në fshatin Gur i Zi, gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë dhe uniformat blu e kanë ekzekutuar.

“U vu në pranga shtetasi S. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit'”, thuhet në njoftimin e policisë lokale, por nuk jepen detaje të tjera për veprën penale dhe dinamikën se si i riu ishte larguar.

Po kështu u mor nën procedim penal dhe u dërgua për hetim në Prokurori në gjendje të lirë edhe A. Gj., 24 vjeç, banues në Shkodër, pasi në lokalin që administronte, u gjet 1 armë sportive që posedohej pa leje, dhe 2 celularë me të cilët dyshohet se viheshin baste sportive. Arma sportive dhe celularët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.