Safet Bajri, i akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit, ka kaluar shumë muaj në burg, ndërkohë që një video e avokatit të tij është bërë virale. Në këtë video, avokati shfaqet duke përdorur karrocë dhe duke mbajtur fashikujt hetimorë në kuti, një imazh që ka tërhequr vëmendjen e publikut.
Arrestimi i Safet Bajrit ndodhi vetëm tri ditë pas një operacioni të forcave speciale RENEA, të cilat kryen kontrollime në disa banesa në zonën e Dobraçit, një lagje që njihet si vendbanimi i fisit Bajri. Gjatë këtyre kontrolleve, u përfshi edhe banesa e Safet Bajrit, ku autoritetet dyshonin për lidhje me ngjarjen e vrasjes së Fatbardh Licit. Ky arrestim dhe zhvillimet e mëpasshme janë bërë pjesë e një hetimi më të gjerë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kush është Safet Bajri?
Safet Bajfri akuzohet për trafik droge e prostitucion nga Gjykata e Brukselit. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim. Ndërsa në Shqipëri, Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh.
Safet Bajri, i njohur edhe si “i forti” i Shkodrës, po hetohet nga drejtësia shqiptare edhe për masakrën e Dobraçit, më 30 tetor 2024, ku u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërsa breshëria e plumbave ju mori jetën edhe dy kalimtarëve, burrë e grua, Bashkim e Flutura Basha.
Një tjetër ngjarje kriminale për të cilën po hetohet Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë të grupit “Bajri” është edhe përplasja me armë zjarri në Bushat të Shkodrës më 23 gusht 2024.
Disa anëtarë të grupit Bajri, një pjesë e të cilëve të identifikuar nga SPAK, të armatosur deri në dhëmbë dhe me makina të blinduara, kishin organizuar gjithçka për të vrarë rivalin e tyre, Aleksandër Prendin, dhe familjarët e tij. Ky i fundit ju përgjigj grupit me plumba dhe nga përplasja me armë zjarri nuk pati viktima apo të plagosur.
Gjithashtu, Safet Bajri dyshohet se bashkëpunoi me Asmer Bilali për vrasjen në vitin 2018 të Fatbardh Licit, kunati i Lulzim Kullës, ky i fundit një emër tjetër i njohur i botës së krimit.
Fiset Bajri dhe Lici, të njohur në qytetin e Shkodrës, kanë një historik të përgjakshëm përplasjesh, me një sagë të gjatë vrasjes mes të dy grupeve kriminale.
