Një ngjarje e pazakontë është regjistruar gjatë mesnatës të së shtunës në Sarandë. Në lagjen nr.4, në vendin e quajtur magazinat e peshkimit në një gjatësi rruge ishin të parkuara disa mjete pronë e banorëve të kësaj lagjeje, raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo.
Persona ende të paidentifikuar kanë shpuar gomat e rreth 8 mjeteve të parkuara. Policia është njoftuar disa orë më vonë nga njeri prej pronarëve të mjeteve, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Gomat e mjeteve kishin nga një ose dy çarje. Dyshohet për ndonjë person të dehur.
Specialistë të hetimit në policinë e Sarandës kanë nisur hetimin për të zbardhur ngjarjen dhe për të gjetur autorin.



