Dy maturantët nga gjimnazet e Peqinit janë përjashtuar nga provimi i Gjuhës së Huaj, pasi tentuan të hynin në qendrën e provimit me telefon celular dhe ta përdornin atë gjatë testimit.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, e cila thekson se respektimi i rregullave të Maturës Shtetërore është i domosdoshëm për garantimin e një procesi të drejtë dhe me integritet. Sipas ministrisë, veprimi i maturantëve ka sjellë përjashtimin e menjëhershëm nga provimi, duke penalizuar përpjekjet e tyre gjatë viteve të arsimit të mesëm.
Për të garantuar mbarëvajtjen e provimeve, në të gjitha qendrat e testimit janë angazhuar mbi 2000 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit.
Ministria u bën thirrje maturantëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e përcaktuara. Kandidatët duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30, të kenë me vete kartën e identitetit, të jenë të veshur rregullisht dhe, aty ku aplikohet, me uniformën e shkollës.
Njëkohësisht rikujtohet se telefonat celularë dhe orët inteligjente (smart watch) janë rreptësisht të ndaluara në ambientet e provimit. Maturantët këshillohen gjithashtu të ushqehen mirë përpara testimit dhe të ruajnë qetësinë e përqendrimin gjatë zhvillimit të provimit.
