Avokatja Brunilda Lika, e pranishme sot në homazhet për gjyqtarin Astrit Kalaja, ka ndarë me mediat emocionet dhe tronditjen që përjetoi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Lika tha se në momentin e vrasjes ndodhej brenda godinës së gjykatës dhe përshkroi atmosferën e frikës dhe kaosit që përfshiu stafin dhe të pranishmit. “Isha e pranishme në Gjykatën e Apelit. Të humbasë një gjyqtar jetën teksa jep një vendim për Republikën e Shqipërisë, është një akt i paprecedentë,” deklaroi ajo.
Sipas saj, ngjarja është një këmbanë alarmi për sigurinë në institucionet e drejtësisë dhe duhet të shërbejë si moment reflektimi për masat që duhen marrë për të mbrojtur jetën e gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit. “Pashë trembjen që ndodhi në ambientet e gjykatës. Të gjithë u grumbulluam në një hapësirë ku zakonisht mblidhen avokatët. Na kap paniku. Gjendja ishte e rëndë psikologjikisht,” shtoi ajo, duke bërë të ditur se nuk ndodhej në sallën ku ndodhi krimi, por brenda godinës në kohën e ngjarjes.
Reagimi i saj vjen mes thirrjeve gjithnjë e më të forta nga avokatë, gjyqtarë dhe përfaqësues të institucioneve për rritje të nivelit të sigurisë në gjykata dhe për të garantuar ushtrimin e profesionit pa kërcënime ndaj jetës.