Artan Tafani, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka zbuluar para Gjykatës së Posaçme një tjetër dëshmi tronditëse, duke hedhur dritë mbi atentatin e organizuar ndaj Kujtim Metës.
Sipas tij, motivi pas ngjarjes ishte një konflikt personal mes Kujtim Metës dhe babait të Laert Haxhiut. “Meta e kishte rrahur me grushte babanë e Laertit dhe donin ta vrisnin me thikë që të dukej si ngjarje spontane, pa lidhje me hakmarrje,” deklaroi Tafani.
Në këtë atentat ishin të përfshirë edhe persona të tjerë, mes tyre Dorian Shurdhi, një mik i Laertit nga Belgjika, i cili fillimisht kundërshtoi planin duke thënë se do të përfundonin në burg, por më pas pranoi të bashkëpunonte.
Tafani rrëfeu se e qëlloi Metën tetë herë me armë Zastava në një lokal: “Qëllova menjëherë sapo e pashë. Ai u hodh nga karrigia, por e godita sërish. Ika kur m’u mbaruan fishekët.” Pas atentatit, u largua në këmbë, kaloi shinat e trenit dhe më pas u mor me makinë drejt Tiranës, pa ndaluar për patrullën e policisë.
Armët, sipas tij, u hodhën në të njëjtin vend ku ishte flakur edhe arma e përdorur në vrasjen e Albi Bashaliut.
Tafani ka treguar se gjatë sulmit mbante një kapuç, xhup të madh dhe maskë COVID-i për të shmangur identifikimin. Dëshmia e tij është pjesë e një hetimi të gjerë që po nxjerr në dritë rrjetin e urdhëruesve dhe ekzekutorëve të vrasjeve mafioze në vend.
