Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Kumanovë, Maqedoninë e Veriut, ku është plagosur me armë zjarri kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Sipas njoftimit zyrtar të partisë, persona të maskuar i kanë zënë pritë Zekirja Shahinit, 43 vjeç, bartës i listës së këshilltarëve të BDI-së në komunën e Likovës dhe banor i fshatit Sllupçan. Ai është qëlluar me armë zjarri dhe më pas është dërguar në spitalin e Kumanovës për trajtim mjekësor.
Raportimet nga mediat vendase bëjnë të ditur se Shahini ka marrë tre plagë në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitarët kanë treguar para hetuesve se autori i plagosjes kishte fytyrën e mbuluar dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Aktualisht, policia dhe grupi hetimor ndodhen në terren dhe po punojnë për të zbardhur motivet dhe për të identifikuar autorët e sulmit.
Në reagimin e saj, BDI e ka cilësuar ngjarjen si akt të rëndë dhune dhe ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe transparente për të zbuluar e ndëshkuar përgjegjësit.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë në komunën e Likovës. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Dënojmë ashpër këtë akt barbar dhe kërkojmë reagim të shpejtë dhe vendimtar nga institucionet përkatëse,” thuhet në deklaratën e BDI-së.
Partia u ka bërë thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve, ndërsa në shenjë solidariteti me të plagosurin ka vendosur të pezullojë aktivitetet e planifikuara për ditën e sotme, duke kërkuar rikthimin e sigurisë dhe besimit të qytetarëve tek drejtësia.