Në Gjykatën e Kukësit po zhvillohet sot seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Ylber Jakut, 41 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Reshit Sallahut, 34 vjeç, ngjarje e rëndë që tronditi fshatin Plan të Hasit më 6 maj.

Sipas hetimeve paraprake, Jaku – një emigrant që jetonte në Angli – dyshohet se është kthyer në Shqipëri posaçërisht për të kryer krimin, një ditë pasi motra e viktimës, 21-vjeçarja Artjola Sallahu, kishte ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.

Ngjarja ka marrë përmasa të rënda pasi krimi dyshohet të jetë një akt hakmarrjeje pas konfliktit mes dy familjeve.

Ndërkohë, më 8 maj, Gjykata e Kukësit vendosi ndaj Artjola Sallahut masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi ajo akuzohet për dhunë ndaj prindërve të autorit të dyshuar të vrasjes.

Hetimet për këtë ngjarje janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe motivit të ngjarjes.