Një 40-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me një sasi të konsiderueshme heroine, e fshehur në mënyrë të pazakontë në makinën e tij.

Burri, banues në provincën e Torinos, udhëtonte me një SUV familjar, së bashku me gruan dhe dy fëmijët e mitur, kur u ndalua për kontroll nga Skuadra Fluturuese e Milanos. Gjatë inspektimit, oficerët zbuluan 10 kilogramë heroinë, të fshehur në pjesën e pasme të sediljes ku ndodheshin fëmijët një mënyrë për të shmangur dyshimet dhe kontrollin e thelluar.

Pas arrestimit në flagrancë, 40-vjeçari u shoqërua në stacionin e policisë për procedurat e mëtejshme. Kontrollet e mëvonshme në banesën e tij në Torino çuan në sekuestrimin e edhe 3 kilogramëve të tjerë heroine, duke e çuar totalin në 13 kilogramë drogë të pastër.

Sipas hetuesve italianë, shqiptari është i përfshirë në një zinxhir të organizuar të furnizimit me lëndë narkotike, dhe nuk përjashtohet mundësia që arrestimi i tij të çojë në identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe destinacioneve të tjera të drogës.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, ndërsa shqiptari do të përballet me akuza të rënda për trafik të drogës.