Një 13-vjeçar ka humbur jetën në Itali, dy ditë pasi u rrëzua papritur ndërsa po luante futboll me shokët. Tragjedia ka prekur komunitetin e San Paolos, në provincën e Brescias, ku i mituri jetonte.
Gjithçka ndodhi pasditen e së mërkurës në ambientet sportive të oratorit të Cremezzanos. Adoleshenti ishte duke luajtur futboll së bashku me bashkëmoshatarët, kur papritur u shemb në fushë.
Situata u kuptua menjëherë si një emergjencë. Një grua që ndodhej aty pranë nisi t’i jepte ndihmën e parë, duke kryer manovrat e reanimimit kardiak ndërsa pritej mbërritja e ekipeve mjekësore.
Pas ndërhyrjes së urgjencës, u vendos që 13-vjeçari të transportohej me helikopter drejt spitalit Papa Giovanni XXIII në Bergamo.
I mituri u shtrua në gjendje kritike dhe për dy ditë mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë. Megjithatë, pas arrestit kardiak të pësuar në fushë, gjendja e tij vijoi të përkeqësohej.
Pavarësisht trajtimit intensiv dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, 13-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.
Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje në San Paolo, veçanërisht mes të rinjve që e njihnin dhe bashkëmoshatarëve me të cilët kalonte kohën.
Një pasdite e zakonshme futbolli mes miqsh është kthyer kështu në tragjedi, duke lënë në zi familjen dhe komunitetin lokal.
