Një rast përdhunimi po hetohet nga autoritetet policore në Mykonos, pas ankesës së një turisteje italiane 18-vjeçare, e cila çoi edhe në arrestimin e një shtetasi 23-vjeçari shqiptar nga Kosova. Sipas asaj që 18-vjeçarja raportoi tek autoritetet, incidenti ndodhi në një shezlong në një bar plazhi të njohur në ishull, ku ajo ndodhej me 23-vjeçarin.

Siç raportohet nga “Cyclades24”, turistja e re dyshohet se kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe, siç pretendoi në deklaratën e saj, nuk ishte në gjendje të rezistonte.

Sipas ankesës së saj, “23-vjeçari dyshohet se ka përfituar nga gjendja dhe ka kryer një akt seksual pa pëlqimin e saj”.

Pas ankesës, oficerët e policisë nisën hetimet për të gjetur dhe identifikuar shqiptarin e treguar nga 18-vjeçarja. Autoritetet arritën të identifikonin 23-vjeçarin, një shtetas të Kosovës, i cili u gjet në zonën e Platys Gialos dhe u arrestua. I arrestuari pritet të dalë para autoritetit kompetent të prokurorisë, ndërsa çështja tani është në duart e gjyqësorit.