Një 44-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë, pasi akuzohet se ka marrë peng një person.

Sipas policisë, autori ka marrë me forcë në makinë një 31-vjeçari, të cilin e ka mbajtur për rreth dy orë dhe e ka dhunuar duke e goditur me grushte. Nga hetimet dyshohet se shkak për pengmarrjen ka qenë një konflikt për motive të dobëta mes tyre.

Njoftimi i policisë:

Mori me forcë në automjet, një 31-vjeçar, i hoqi lirinë dhe e dhunoi, si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pasi morën njoftim se një 31-vjeçar ishte marrë me forcë, në automjet, nga një shtetas, organizuan menjëherë punën për identifikimin e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. P., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.