Një aksident i trefishtë është shënuar paraditen e sotme në aksin nacional Maqellarë-Peshkopi. Mësohet se tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën mbi urën e fshatit “Pesëjakë”, teksa ende nuk dihen rrethanat e këtij aksidenti, ndërsa pritet që policia të mbërrijë në vendin e ngjarjes.
Dy automjete kanë qenë duke lëvizur në drejtim të qytetit të Peshkopisë dhe njëri dyshohet se ka qenë duke hyrë në rrugën nacionale teksa është përplasur me to. Tre drejtuesit e mjeteve kanë pësuar lëndime, ndërsa një nga automjetet ka ngecur dhe për pak sa nuk ka rënë në përrua.
Policia Rrugore Dibër po vijon hetimet për zbardhjen e dinamikës së aksidentit dhe shkaqeve.
