Një aksident është regjistruar paraditen e sotme në aksin Lushnjë–Berat, ku një furgon me turistë nga Polonia, me gjithsej 8 pasagjerë, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.

Si pasojë e aksidentit, katër turistë kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, sipas informacioneve paraprake, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Edhe shoferi i furgonit, gjithashtu shtetas polak, është marrë në pyetje nga efektivët e policisë rrugore në përpjekje për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Sipas burimeve zyrtare, testi i alkoolit ka rezultuar negativ.

Policia po vijon hetimet për të përcaktuar nëse shkak i aksidentit kanë qenë kushtet e rrugës, shpejtësia, apo ndonjë defekt teknik i mjetit.