Një automjet tip fuoristradë është përfshirë nga flakët rreth orës 13:00 të ditës së sotme në zonën e Llogarasë, pak metra pa hyrë në tunelin e Llogarasë. Mjeti është shkrumbuar kryesisht në pjesën e përparme, në zonën e motorit.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt teknik në automjet, i favorizuar edhe nga temperaturat e larta që kanë përfshirë ditët e fundit qarkun e Vlorës. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur përhapjen e zjarrit në zonën përreth. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Raste të ngjashme të përfshirjes së automjeteve nga flakët për shkak të defekteve teknike janë regjistruar edhe më herët.
