Një ngjarje e rëndë është shënuar në Sarandë, ku një çift të moshuarish dyshohet se kanë plagosur në dorë me thikë një të mitur.

Policia ka arrestuar shtetasit L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, ndërsa ka nisur procedim penal ndaj djalit të tyre 39-vjeçar, i cili dyshohet se ka kërcënuar gjithashtu të miturin me thikë. Ngjarja po hetohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit L. B., 79 vjeç, dhe P. B., 73 vjeçe, bashkëshortë, banues në Sarandë, pasi dyshohen se për motive të dobëta, kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në pjesën e dorës, një shtetas të mitur, si dhe nuk janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për shoqërim. Në kuadër të këtij rasti është proceduar penalisht edhe shtetasi E. B., 39 vjeç, (djali i çiftit të bashkëshortëve), pasi dyshohet se ka kanosur gjithashtu të miturin me mjet prerës”, thuhet në njoftimin e policisë.