Është konfirmuar përfundimi tragjik i çështjes së zhdukjes së Floreshë Prengut, 35 vjeçe, banuese në Trento të Italisë dhe nënë e dy vajzave.

Trupi i saj u gjet përgjatë lumit Adige, rreth 40 kilometra larg banesës, ndërsa identifikimi zyrtar u krye këtë të enjte nga familjarët.

Floresha Prengu, me origjinë shqiptare, ishte raportuar e zhdukur që prej 22 tetorit, kur u pa për herë të fundit në qendër të qytetit të Trentos. Menjëherë pas humbjes së kontakteve, familja njoftoi autoritetet dhe u angazhua në kërkime intensive, duke kërkuar edhe ndihmën e publikut.

Operacioni i kërkimit u shtri në një zonë të gjerë dhe përfshiu patrulla përgjatë lumit Adige, ekipe të zjarrfikësve vullnetarë, si dhe kontrolle ajrore me helikopterë. Për më shumë se dy muaj, rasti u shpërnda në të gjitha prefekturat italiane, pa u siguruar informacion konkret mbi vendndodhjen e saj.

Sipas autoriteteve italiane, hipoteza kryesore është se 35-vjeçarja është marrë nga rrjedha e lumit Adige, duke mos arritur t’i mbijetojë. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përjashtuar çdo pistë tjetër të mundshme.