Prej mesditës së sotme kanë nisur kërkimet me polumbarë të forcave speciale RENEA në Kanionet e Osumit, për gjetjen e trupit të 42-vjeçarit Ilir Kurti. Në ndihmë të ekipit të kërkim-shpëtimit janë angazhuar edhe dy varka “Rafting”, si dhe banorë të zonës. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të 42-vjeçarit.
Rryma e fortë e lumit Osum dhe errësira e mbrëmjes po e bëjnë operacionin mjaft të vështirë. Sipas burimeve nga vendngjarja, shpresohet që trupi të ketë ngecur në ndonjë shkurre përgjatë brigjeve, pasi nëse është marrë nga rrjedha e fortë, mbetet e paqartë se në cilin degëzim të lumit mund të përfundojë.
42-vjeçari nga qyteti i Skraparit dyshohet se i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e djeshme, duke u vetëhedhur në lumë në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, pranë Kanioneve të Osumit.
Në vendngjarje janë gjetur motori me të cilin ai lëvizte, disa sende personale dhe telefoni celular. Nga verifikimet paraprake rezulton se ai i kishte dërguar një mesazh vëllait, ku shprehej se do të hidhej në lumë.
Sipas familjarëve, 42-vjeçari kishte muaj që ishte mbyllur në vetvete dhe po përjetonte me vështirësi ndarjen nga djali i tij, me të cilin nuk komunikonte prej 7 vitesh, pasi ish-bashkëshortja ishte larguar nga Skrapari drejt Rumanisë.
