Një mjek kirurg në Korçë është vënë në pranga pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj një 21-vjeçareje gjatë një kontrolli mjekësor.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për kirurgun Nikolla Nuka, 72 vjeç, i cili dyshohet se ka kryer veprime të papërshtatshme ndaj pacientes duke i justifikuar ato si pjesë e ekzaminimit mjekësor.
E reja ishte paraqitur fillimisht në urgjencë për shkak të dhimbjeve të forta të barkut dhe më pas iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për apandesit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 21-vjeçarja ndodhet ende e shtruar në spital, ku edhe është marrë dëshmia e saj nga efektivët e policisë.
Pas kallëzimit të bërë nga vajza, autoritetet nisën menjëherë procedurat hetimore që çuan në arrestimin e mjekut. Ndërkohë, pritet që hetimet të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e ngritura ndaj kirurgut.
