Një shqiptar është vrarë këtë të diel pasdite në Kolumbi, në një atentat të dyshuar mafioz. Viktima është identifikuar si Artur Tushi, 44 vjeç, i lindur në Shqipëri, por me dokumente ekuadoriane.
Sipas mediave kolumbiane, Tushi u qëllua për vdekje nga një atentator me pagesë, i cili u kap nga policia pak çaste pas ngjarjes, teksa po largohej me motor nga vendi i krimit. Gjatë ndalimit, atij iu gjet edhe arma e përdorur në vrasje.
Në momentin e sulmit, pranë viktimës ndodhej edhe një grua, e cila mbeti e plagosur.
Hetimet e para dyshojnë se atentati mund të jetë i lidhur me rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës, ku shqiptarët luajnë një rol të rëndësishëm në Amerikën Latine. Mediat lokale raportojnë se grupet kriminale shqiptare përdorin Ekuadorin si bazë për trafikun e kokainës drejt Evropës dhe kanë dërguar njerëz në rajon për të negociuar drejtpërdrejt me kartelët e drogës.
Autoritetet kolumbiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e porositësve të mundshëm të atentatit.