Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë akademike dhe politike në vend.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e kujtoi Pëllumbin si një “profesor të madh” dhe një figurë me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Partisë Socialiste dhe në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Në mesazhin e tij, Balla shkruan se Pëllumbi i ka dhënë shumë vlera PS-së në periudha të vështira dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme në drejtimin e institucionit më të lartë ligjvënës të vendit. Ai thekson gjithashtu se Kuvendi, Partia Socialiste dhe familja do të njoftojnë në vijim detajet e ceremonive në nder të tij.

Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë. Ai ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut, ku është diplomuar si doktor i shkencave në Letërsi.

Karrierën e tij akademike e nisi si pedagog në Institutin Pedagogjik të Korçës në vitet 1960–1963, ndërsa më pas e vijoi këtë detyrë deri në vitin 1977. Po atë vit u bë anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë së Punës, ndërsa për disa vite ka qenë edhe pedagog në Universitetin e Tiranës.

Pas ndryshimeve demokratike të vitit 1990, ai u pozicionua si nënkryetar i Partisë Socialiste, detyrë që e mbajti deri në vitin 1996. Më vonë, ai u bë një nga figurat më jetëgjata në Kuvendin e Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisione dhe procese të rëndësishme parlamentare.