Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një grua 54-vjeçare ka humbur jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të kryer në një klinikë private, pranë spitalit rajonal të qytetit.
Viktima është identifikuar si Valbona Xha, banuese në Durrës. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, ngjarja ka ndodhur vetëm pak orë pas ndërhyrjes, ndërsa mjeku që ka kryer operacionin, shtetasi I. Sh., 59 vjeç, po hetohet në gjendje të lirë nën akuzën e “neglizhencës në trajtimin mjekësor”.
Procedimi penal ndaj mjekut ka nisur pas kallëzimit të bërë nga familjarët e viktimës, konkretisht bashkëshorti i saj. Dyshohet se mungesa e kujdesit dhe ndjekjes së protokolleve mjekësore pas operacionit ka çuar në përkeqësimin e gjendjes së pacientes, e cila më pas ka ndërruar jetë.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, neglizhenca mjekësore që sjell pasojë vdekjen parashikon një dënim deri në 2 vite burg.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
