Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në aksin Shupenzë–Ura e Topojanit, në zonën e njohur si Boçevë, ku janë përfshirë dy automjete.

Sipas informacioneve paraprake, një furgon dhe një automjet tjetër janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur dy persona. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa njëri prej mjeteve ka përfunduar jashtë rruge dhe është varur në një pemë.

Ngjarja është konstatuar fillimisht nga drejtues të tjerë mjetesh që kalonin në zonë, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës dhe policinë.

Të plagosurit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë transportuar drejt spitaleve. Njëri prej tyre është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa personi tjetër po merr mjekim në spitalin e Bulqizës.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.