Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi tentoi të vriste me thikë një 37-vjeçar në Cërrik.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjyralë pas një konflikti për motive të dobëta, teksa në pranga ka rënë Uendi Lleshi. Policia bën me dije se edhe i plagosuri, i cili është jashtë rrezikut për jetën, është proceduar në gjendje të lirë pasi mbante në automjet 1 shkop bejsbolli.
Njoftimi i policisë:
Gjatë një konflikti të çastit, tentoi të vriste me mjet prerës (thikë), një 37-vjeçar, arrestohet menjëherë pas ngjarjes, autori. Procedohet në gjendje të lirë i plagosuri, i cili është jashtë rrezikut për jetën, pasi mbante në automjet, 1 shkop bejsbolli. Sekuestrohen mjeti prerës, si dhe shkopi i besjbollit dhe automjeti i 37-vjeçarit.
Menjëherë pas njoftimit për një plagosje me mjet prerës, në fshatin Gjyralë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, për të kapur autorin dhe për të sqaruar rrethanat e rastit.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve policore profesionale, u kap dhe u vu në pranga, menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar i rastit, shtetasi U. Ll., 24 vjeç, banues në Cërrik. Ai dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. Rr., 37 vjeç. I plagosuri është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.